Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurës, D.D., për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.
“E pandehura D.D., më 29.10.2014, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri, përmes vend kalimit kufitar Hani i Elezit, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, duke kaluar në Republikën e Maqedonisë dhe nga Aeroporti i Shkupit, ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë, më pastaj ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku është pritur nga bashkëshorti i saj B.S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.
E pandehura D.D., është trajnuar nga i njëjti për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake. “Po ashtu, e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollar në muaj, si dhe me pako ushqimore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D.S., pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, e që edhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë”.
Me këto veprime e pandehura D.D., ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.