Prokuroria Themelore në Prizren pas 7 muajsh ka ngritur aktakuzë kundër personit që vrau shokun e ngushtë në Maqitevë të Suharekës për një borxh prej 20 eurosh.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.A., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të KPRK-së, dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.A. e ka privuar nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje e ka vënë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë.
“Më 26.01.2020, në fshatin Maqitevë, Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri SH.K., vëllait të tij, fillimisht fillojnë të fjalosen, më pas shkon te kamioneta e tij e merr pushkën gjysmë automatike dhe në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit SH.K., fillimisht e godet në fytyrë i cili rrëzohet në tokë, e pastaj deri sa ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç’rast i shkakton 8 plagë në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në aktakuzë.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri S.A. ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’.
Po ashtu, i pandehuri S.A. në kundërshtim me Ligjin ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, me numër serik 41216. Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.