Aktakuzë kundër tri infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës në strehimoren në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj tri infermiereve, A.P., A.R., dhe R.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtat në bashkëkryerje, ndaj viktimës se ndjeshme (e moshuar)  kanë  kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 3, nën-paragrafi 3.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës “tri të pandehurat në cilësinë e infermiereve në shtëpinë e kujdesit për të moshuar “Orenda”, me dashje dhe në bashkëkryerje përdorin forcën ndaj të moshuarës e cila ishte e vendosur në ketë strehimore, në atë mënyrë që pasi të pandehurat planifikojnë ta vënë nën kontroll viktimën e ndjeshme, me kërkesën e të pandehurës A.P., e pandehura R.K., e incizon me telefon, kurse e pandehura A.R., e kap përdore viktimën duke e mbajtur, e pandehura A.P., e godet disa herë me shuplakë viktimën e tri herë me gjunjë në pjesë abdominale,  e të gjitha këto veprime përcjellën me video incizim dhe të qeshura nga tri të pandehurat”, njofton prokuroria

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat  kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë, vlerëson prokuroria.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurat të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

“Gjithashtu në departamentin e krimeve të rënda në këtë prokurori janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për procesin e strehimores për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit”, thuhet në njoftim.