Aksioni në shtëpinë e Jakup Krasniqit, por kur ishte intervistuar ai në Hagë?

Më 24 korrik të vitit 2019 ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ishte intervistuar në Hagë.

Por kjo intervistë duket se nuk ishte e mjaftueshme për Dhomat e Specializuara. Sot me mëngjes disa automjete të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës u drejtuan për në konakun e Krasniqit në Prishtinë dhe bastisën shtëpinë e tij, njofton Klan Kosova.

Polici ka edhe në shtëpinë e fshatit të lindjes Negrovc të Drenasit, megjithëse aty ende s’ka nisur operacioni.

Në kohën kur iu dërgua ftesa nga Specialja, Krasniqi nuk refuzoi të përgjigjet duke thënë se atë do ta bëjë pavarësisht se ishte kundër një gjykate të tillë.

“Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre”.

Për opsionin e zhbërjes së Speciales, Krasniqi kishte deklaruar se kjo punë është dashur të mendohet me kohë, jo tani.