Aksioni i policisë në Karaçevë, dorëzohet edhe një person i dyshuar

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, ka njoftuar se si rrjedhojë e aksionit të përbashkët në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, sot, në Policinë e Kosovës, në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është vetë-dorëzuar edhe një person i dyshuar.

Në njoftim thuhet se “me vendim të prokurores së rastit, i dyshuari L.S., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Kontrabandimi i mallrave’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan”.

Më tej në njoftim thuhet se numri i personave të ndaluar si rezultat i këtij operacioni ka arritur në 31.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast”.