Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me aksionin “Brezovica”, raporton EO.
Prokurori i çështjes Rasim Maloku, ka thënë se nga ky aksion kanë ngrirë gjashtë milionë euro nga të pandehurit dhe familjarët e tyre.
Ai ka paralajmëruar se ky nuk do të jetë aksioni i fundit.
“Nga të dhënat financiare që i kemi siguruar nga bankat që i posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohet se janë mjete të përfituara si dobi pasurore nga veprat penale”, tha Maloku.
Tutje u bë e ditur se në këtë aksion janë sekuestruar një veturë BMW, armë, kompjuterë, video kaseta, uniformë me mbishkrimin e ish sistemit jugosllav, USB, dokumente, etj.
“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një prej tyre është lejuar. 5 persona të tjerë janë në kërkim policor”, tha ai.
Sa i përket rastit të kaluar të sekuestrimit, Maloku tha se rezultatet e hetimeve janë ngrirje të pasurive dhe janë në proces të identifikimit të villave në Brezovicë.
“Kemi prit edhe aksionin e sotëm që me i përfshi bashkë. Janë konfiskuar, dokumente për leje mjedisore, aktvendime për lëshimin e lejeve. Sa i përket hidrocentraleve nuk janë objekt i trajtimit të kësaj çështje”, ka thënë ai.
Për ish-sekretarin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Arben Çitakun tha se po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Ndërsa zyrtari policor, Agron Haziri tha se në aksionin e sotëm u arrestuan 4 persona. Njëri prej tyre tha se është liruar, ndërsa tha se janë në kërkim edhe të 5 personave tjerë.
“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. 3 persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe 5 persona janë në kërkim policor”, tha Haziri.
Ai njoftoi se të arrestuarit, përveç ryshfetit, dyshohen edhe për pengim të procesit dhe frikësim.