Një aksident trafiku në Kaçanik ka lënë të lënduar gjashtë qytetarë, tre prej tyre zyrtarë të komunës.
Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, ka thënë se vetura zyrtare u përfshi në një aksident në fshatin Kovaçec dhe se tani të lënduarit janë duke marrë trajtim mjekësor, njofton Klan Kosova.
“Sot gjatë ditës, në fshatin Kovaçec ka ndodhur një aksident ku është përfshirë një veturë zyrtare e komunës. Nga ky aksident kanë pësuar lëndime 6 qytetarë, 3 prej tyre zyrtar publik të komunës. Pas marrjes së informacionit kam dalë në vendngjarje dhe jam interesuar nga afër për gjendjen e tyre shëndetësore. Të lënduarit po marrin trajtimin e duhur mjekësor, njëherit do t’iu mbajmë të njoftuar për gjendjen e tyre”, ka njoftuar Ilazi.
Ai iu ka bërë thirrje kaçanikasve për kujdes të shtuar në komunikacion pasi qarkullimi është vështirësuar edhe pas reshjeve të shumta atmosferike.