Tre persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë, në fshatin Milloshevë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për Telegrafin se në aksident janë përfshirë katër automjete.

“Sot rreth orës 08:00 në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë saktësisht në fshatin Milloshevë ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë 4 automjete. Si pasojë e aksidentit janë lënduar tre persona dhe janë shkaktuar dëme materiale”, theksoi ajo.
Ahmeti shtoi tutje se Njësiti i Trafikut Rajonal është duke u marrë me rastin.