Pas votimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në lexim të parë, deputeti Behgjet Pacolli, njëherësh edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, përmes një shkrimi në Facebook, duket se po paralajmëron hyrje të partisë së tij në koalicionin e tanishëm Qeverisë, LDK-AAK-Nisma, shkruan Gazeta Insajderi.
Në lidhje me këtë, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, ka thënë se partia e tyre, kurrë nuk ka qenë bllokuese e proceseve që janë në të mirë të qytetarëve.
Makolli, ka thënë se shkrimi i shefit të tij në Facebook, mundet të marr edhe kahe tjetër dhe sipas tij, kjo nuk do të thotë që menjëherë më hy në qeveri.
“Defakto ne këtë qeveri e kemi votuar ju e dini, ne jemi në shtyrjen e proceseve përpara, pra çdo veprim që bëhet për shtyrjen e proceseve përpara e sidomos kjo në kohë pandemie për dalje nga kriza AKR-ja, është për. Kjo nuk do të thotë që drejtpërdrejtë me hy në qeveri”, është shprehur Makolli.
Ai ka thënë se nuk ka diçka konkrete sa i përket futjes në qeveri të AKR-së, mirëpo nëse do të kishin një ftesë, ai ka thënë se beson që do të hyjnë.
“Ne kemi punuar në të mirë të qytetarëve gjithmonë. Një ristrukturim i qeverisë, ne jemi për. Nëse do të kishim një ftesë, besojmë që po, normalisht analizohet, e llogarisim dhe nuk ka problem”, ka thënë në fund Makolli.
Kujtojmë se sot është votuar në lexim të parë Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili gjashtë herë ka dështuar të votohet në Kuvendin e Kosovës, për shkak të numrave që nuk i ka pasur koalicionin Qeverisës. Ky projektligj sot u votua me 64 vota për, duke numëruar edhe dy votat e AKR-së, atë të deputetit Behgjet Pacolli dhe deputetes Mirlinda Sopi.