AKR ka pranuar oferta për koalicione parazgjedhore, Lluka: S’kemi vija të kuqe

Aleanca Kosova e Re (AKR), ende pa u shpallur zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme ka pranuar oferta për koalicione parazgjedhore.

Valdrin Lluka, anëtar i Kryesisë së kësaj partie ka konfirmuar pranimin e ofertave pa specifikuar se nga cilat parti vijnë ato.

Por kjo parti ende nuk ka marrë vendim se si do të garojë në këto zgjedhje, që do të mbahen pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

“Kryesia e AKR-së ka pranuar disa kërkesa për koalicion parazgjedhore të cilat janë në shqyrtim e sipër dhe besoj që është çështje ditësh, me siguri që këtë javë duhet të vendoset a do të shkohet të vetëm apo me ndonjë partner të koalicionet”, tha Lluka për Ekonomia Online.

Vija të kuqe AKR-ja nuk do të ketë për asnjë parti, thotë Lluka. Madje sipas tij, kjo parti në tri qeveritë e fundit ka qenë vendimmarrëse dhe shtetformuese.

Si parti liberale, sipas tij, AKR-ja do të mund të bëhet vetëm pjesë e ndonjë koalicioni të vyeshëm për vendin.

“Siç e dini AKR është parti liberale dhe nuk ka vija të kuqe me asnjë parti, në asnjë formë nuk ka pasur. Në tri qeveritë e fundit mund të themi se AKR-ja ka qenë partia vendimmarrëse e shtetformuese me votat e saj dhe kështu do të vazhdojë kjo qasje si parti liberale ne e shohim interesin shtetëror parimor, para interesit partiak. Dhe në këtë radhë ne mendojmë që do të verojmë në të mirën e vendit duke u siguruar që votat tona, votuesit tanë do të dëgjohen dhe do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni të vyeshëm për vendin”.