Paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 35% është pritur me shqetësim nga përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, kjo pasi sipas tyre kjo rritje do të ndikojë drejtpërdrejt në shpenzimet dhe qëndrueshmërinë ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se një vendim i tillë do ta rendiste Kosovën në nivel me vendeve të Evropës me çmimet të larta të energjisë elektrike.
Për këtë, ai ka bërë thirrje qeverise që të mos lejoj një shtrenjtim të tillë.
“Paralajmërimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 35 për qind është ndoshta një kërkesë që secili qytetar dhe biznes kanë marr me shqetësim të madh, për arsye se me këtë vendim rriten tërë shpenzimet dhe ngarkesat të çdo ekonomie familjarë dhe të çdo biznese dhe kjo do të jetë në pikëpyetje për qëndrueshmëri të bizneseve. Prandaj, Kosova edhe aktualisht e ka energjinë elektrike më të shtrenjtën në regjion, por kjo do të ngrit Kosovën në nivel të shteteve të Evropës me shtrenjtim të energjisë elektrike. Prandaj qeveria do të duhej të shikoj këtë kërkesë seriozisht dhe mos të zbatoj ose mos ta lejoj ZRRE që të vije deri të ngritja e çmimit”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se energjia elektrike ndikon në çdo sektor ekonomik dhe se shtrenjtimi i saj do të reflektohet në të gjitha produktet dhe shërbimet, duke e rënduar më tej situatën financiare të qytetarëve dhe bizneseve.