Ajri i ndotur në Kosovë, IKSHPK-ja del me rekomandime

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka dal me rekomandime për reduktim të rrezikut nga vlerat e larta të ndotjes së ajrit. 

Ditëve të fundit qytete të Kosovës, e veçanërisht Prishtina po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit. 

Cilësia e ajrit në Prishtinë aktualisht është 144, e pashëndetshme për grupet e ndieshme. 

IKSHPK-ja ka rekomanduar që të reduktohen daljet në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes apo mbrëmje, veçanërisht për personat me sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. 

Po ashtu ka rekomanduar të mos hapen dritaret e dhomave për ajrosje, veçanërisht derisa të jetë i lartë niveli i ndotjes së ajrit. 

Është rekomanduar që nëse me patjetër duhet të dilet jashtë shtëpisë, atëherë të bëhet me maska mbrojtëse apo me shall. 

Po ashtu është rekomanduar reduktimi i pirjes së duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërish të ndalohet pirja në hapësira të mbyllura. 

“Grupet e popullatës së rrezikuar, të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, zemrës, pacientët astmatikë dhe të prirë për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotjes së ajrit, të tilla si malet dhe vendpushime të shëndetshme”, thuhet nga IKSHPK.