Kardiologu Artan Ahmeti ka sqaruar situatën me trashjen e gjakut te pacientët e infektuar me COVID-19 dhe nevojën për ta kryer analizën D-Dimer.
Ahmeti në DESKU ka thënë se është vërejtur se janë raste të shpeshta ato që tek pacientët e infektuar është paraqitur edhe trashja e gjakut.
“D-Dimeri është analizë e përgjithshme e çrregullimit të koagulimit të gjakut, që nuk është specifik për një sëmundje të caktuar. Realisht çdo sëmundje që shoqërohet me përgjigje të organizmit, shkakton çrregullime dhe te D-dimeri. Në këtë rast COVID-i kemi pa që rastet janë shumë më të shpeshta dhe për këtë arsye ka shkaktu probleme shumë të mëdha. Pikërisht, trajtimi i pacientëve me antikoagulant qysh në fazat e hershme të detektimit të d-dimerit të lartë, ka bërë që këto raste të kalojnë shumë më mirë, kurse mos përcjellja me këtë analizë ka bërë që pacientët të zhvillojnë sëmundje të rënda”, sqaroi ai.
Ndërkaq, ai ka thënë se përdorimi i aspirinës në një fazë të vonshme nuk është efektiv.
“Aspirina nuk është direkt antikoagulant dhe është mbrojtës mos me ardhë deri te formimi i trombeve. Në rast se janë formu trombet, atëherë aspirina ka pak ndikim, duhet të përdoren antikoagulant, siç është heparina ose fraksionet e saj”, përfundoi ai.