Me shtimin e tri rasteve të reja me koronavirus të shtunën në Prishtinë, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka bërë thirrje për kujdes të shtuar që të mos bëhet një vatër e re e koronavirusit në kryeqytet. Sipas tij, një vatër e re do të kthente në masa më të rrepta.
“Plus tetë raste sot në Kosovë, e tre raste të reja në Prishtinë, familjarë të rastit të djeshëm. Kjo na tregon se duhet të jemi edhe më tutje të kujdesshëm në mënyrë që mos të kemi vatër të re që do të na kthente në masa më të rrepta”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
“Prandaj, përkundër motit të mirë, mos dilni pa nevojë në mënyrë që mos të lejojmë përhapjen nga rastet e reja”, ka shtuar ai.
Të shtunën u regjistruan tetë raste të reja me Covid-19 në Kosovë, përderisa u regjistruan 31 të shëruar.
Në Prishtinë, deri tash janë regjistruar 72 të infektuar me koronavirus, ndërsa në gjithë vendin janë regjistruar 870 të infektuar.