Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vendosur që përgjegjësinë për hapjen e çerdheve ta kenë komunat.
Ai ka thënë se si Komunë e Prishtinës synojnë që rihapja e çerdheve të bëhet nga dita e hëne, 3 gusht.
“Komuna e Prishtinës synon hapjen e tyre por me kushte të caktuara për të cilat do të ju njoftojmë ditëve në vijim. Meqenëse e premte është Bajram, sipas të gjitha gjasave rihapja me kushte do të lejohet nga e hëna, 3 gusht 2020”, ka shkruar ai në Facebook.
Ahmeti ka thënë se presin përgjegjësi nga secili prind jo vetëm për fëmijët e tyre.
“Moslajmërimi i infeksionit në familje do të rezultojnë në ndëshkime. Por, për të gjitha detajet, do të ju lajmërojmë me kohë”, thotë ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të lejohet hapja e çerdheve, por që kjo të bëhet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale.
“Ushtrimi i veprimtarisë së çerdheve publike dhe private në tërë territorin e Republikës së Kosovës lejohet pas vlerësimit dhe mbikëqyrjes nga autoritetet komunale, në përputhje me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”, thuhet në vendim e Qeverisë së Kosovës./Telegrafi/