Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pa bashkim të partive politike në vend, s’mund të ketë as marrëveshje me Serbinë e as zbatim të saj.
Në Interaktiv ai ka thënë se dialogu ka qenë çështja që ka rrëzuar dy qeveritë e fundit. Sipas tij, dy kryeministrat e fundit, Ramush Haradinaj e Albin Kurti nuk kanë menduar se qeveria mund të bjerë për shkak të kësaj çështjeje.
“Dialogu i ka rrëzuar dy qeveritë e fundit. Edhe atëherë u kam thënë, sa isha kryesues i delegacionit, që seriozitetin që e kam pa në SHBA dhe garën që kam parë mes disa shteteve, ka treguar se ka presion që kjo të bëhet. S’u ka interesuar as çështje të tjera, as luftimi i korrupsionit as asgjë tjetër. Kanë thënë fillimisht dialogu, zgjidhja e problemit me Serbinë pastaj merruni me të tjerat. As Haradinaj as Kurti s’i kanë marrë seriozisht, ndoshta po, por jo se qeveria mund të bjerë për shkak të kësaj”, ka thënë ai.
Ahmeti tutje ka thënë se Kosova nuk bën t’u bie në rrugë të interesave fuqive të mëdha sepse “do të mbetet letër në tavolinë”
“Pa qenë të gjitha partitë e ulura në tavolinë dhe për të vendosur s’ka as marrëveshje as zbatim të marrëveshjes. Në qoftë se nuk ulen krejt, e dikush provon të përfitojë, e ka gabim. Për marrëveshje duhet të bashkohen të gjitha partitë. Nëse bëhet marrëveshja, zbatimi s’mund të bëhet nga dy apo tri parti. Nëse duam marrëveshje të qëndrueshme, duhet të kemi të përfshira të gjitha partitë. Por ja që kemi një administratë në SHBA, të çuditshme, të vendimeve të shpejta, të ashpra, por mos të harrojmë se Amerika është Amerikë, pavarësisht kush qëndron aty në krye. Është shteti më i fuqishëm dhe qëndrimet e tyre i mundin shtetet shumë më të forta se ne. Kam thënë mos t’i biesh në rrugë të interesave të fuqive të mëdha sepse je pastaj letër në tavolinë. Duhet të respektojmë fuqinë e saj. S’ka të bëjë asgjë me sa e duam ne apo ajo neve. U kam thënë edhe ambasadorëve mos na futni në mes të juve sepse s’kemi fuqinë për t’u mbrojtur. Është i domosdoshëm bashkimi i forcave shqiptare nëse duam të sigurohemi se kufijtë s’lëvizin e s’ka nivel të tretë të qeverisjes”, ka përfunduar Ahmeti.
Ai ka thënë po ashtu se e sheh të gabueshëm nëse vazhdohet një koalicion mes ish-partisë, PSD-së dhe AAK-së.