Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, ka hedhur poshtë zërat se do t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër politik apo iniciative në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
I kontaktuar nga IndeksOnline, Agusholli ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e garës për deputet të Kuvendit të Kosovës.
“Gjatë këtij mandati katërvjeçar janë bërë spekulime sikur unë po ndryshoj rradhë, herë duke e ndërruar pozicionin e herë duke e ndëruar ulësen e Kuvendit. E vërteta është që qeveria po përmbush një mandat të plotë për herë të parë pas shumë vitesh, dhe asnjë lajm se dikush po largohet nga partia nuk ka rezultuar i vërtetë. Jam munduar të jem konsistent në qëndrimet dhe bindjet e mia, dhe asnjëherë nuk kam menduar t’i tradhtoj ata që më kanë besuar votën”, ka thënë ndër të tjera Agusholli.
Më tej, ai thotë se një gjë është e sigurt se deri në përfundim të këtij mandati do të jetë deputet nga radhët e Vetëvendosjes.
“Pastaj, do e shoh si do të vazhdoj. Për momentin, me sa di unë, vetëm kryetari i LVV-së është konfirmuar për listën zgjedhore”, ka shtuar Agusholli
“JO, nuk jam pjesë e asnjë iniciative apo subjekti të ri politik”, ka përfunduar ai.