Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) thotë se ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.
AGK-ja, konsideron se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik.
“Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”, thuhet në reagimin e AGK-së..
“Rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional”.
“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik”, thekson AGK..
Ky zhvillim, vlerëson Asociacioni i Gazetarëve, do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies.