Agjërimi dhe kujdesi për shëndetin

Muaji i Ramazanit për agjëruesit shërben si mundësi për reflektim shpirtëror, vetëdisiplinë dhe përkushtim fetar. E ekspertët rekomandojnë që trupi të përgatitet gradualisht për ndryshimet e orarit të ngrënies.

Doktoresha Lama Dalloul, dietologe klinike në Bioniq Middle East, ka thënë për Al Arabiya English se Ramazani është koha e përsosur për t’u rilidhur me veten.

“Ramazani është koha e përsosur për t’u riformatuar dhe për t’u rilidhur me veten. Është një mundësi për të qenë të vetëdijshëm për çdo aktivitet që bëni. Përgatitni trupin duke rregulluar gradualisht orarin e ushqyerjes disa ditë para fillimit të agjërimit”, ka thënë ajo.

Doktoresha këshillon gjithashtu reduktim të konsumit të kafeinës për të shmangur dehidratimin dhe dhimbjet e kokës nga tërheqja e saj.

Gabimet më të zakonshme ushqimore gjatë Ramazanit

Sipas Dalloulit, gabimet ushqimore gjatë këtij muaji mund të çojnë në lodhje, dehidratim dhe probleme të tjera shëndetësore.

Mosngrënia e syfyrit

“Një nga gabimet më të zakonshme është shmangia e syfyrit, i cili është thelbësor për të siguruar energjinë e nevojshme gjatë ditës. Mungesa e tij mund të shkaktojë dobësi dhe dehidratim”, ka thënë Dalloul.

Një vakt i balancuar për syfyr duhet të përmbajë fibra, proteina dhe yndyra të shëndetshme për të ruajtur nivelet e energjisë.

Hidratimi i pamjaftueshëm

“Është e rëndësishme të qëndroni të hidratuar duke siguruar konsum të mjaftueshëm të ujit midis iftarit dhe syfyrit”, ka thënë doktoresha.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar të paktën 10 gota ujë gjatë orëve joagjëruese për të shmangur dehidratimin.

Të ngrënit e tepërt dhe ushqimet e pashëndetshme

“Të hash me tepri, veçanërisht ushqime të skuqura, mund të ndikojë negativisht në organizëm. Është e rëndësishme të bëjmë zgjedhje të kujdesshme duke pasur parasysh cilësinë e ushqimit, jo vetëm sasinë”, ka thënë Dalloul.

OBSH-ja ka rekomanduar shmangien e ushqimeve të skuqura dhe me shumë kripë, si dhe kontrollin e konsumit të ëmbëlsirave tradicionale që shpesh përmbajnë sasi të mëdha të sheqerit.

Rëndësia e vlerësimit shëndetësor para Ramazanit

Sipas OBSH-së, është e rëndësishme që njerëzit të sigurohen që organizmi të ketë lëndët ushqyese të nevojshme përpara fillimit të Ramazanit.

Dalloul ka shpjeguar se gjatë agjërimit, metabolizmi bëhet më efikas dhe organizmi mund të përthithë më pak vitamina dhe minerale, duke rritur rrezikun e mangësive të vlerave ushqyese.

“Një kontroll shëndetësor para Ramazanit ndihmon në identifikimin e nevojave të trupit dhe në përmirësimin e niveleve të energjisë. Kjo është thelbësore për të hyrë në muajin e agjërimit me forcë dhe vitalitet të plotë”, ka thënë ajo.