Agim Ademi ka fituar edhe një mandat për të udhëhequr me Federatën e Futbollit të Kosovës. Ademi, që ishte kandidati i vetëm për të parin e FFK-së, mori 42 vota në Kuvendin zgjedhor të mbajtur të mërkurën, nga 43 delegatë pjesëmarrës.
Votimi ishte i hapur. Procedura e zgjedhjes së Ademit nuk zgjati më shumë se një minutë.
Kryetari Ademi pasi mori mandatin e ri ka thënë se e merr detyrën me shumë seriozitet.
“Falënderim për besim dhe obligim jashtëzakonisht të madh. Këtë obligim s’mund ta kryej pa ju dhe ju dua afër në çdo aspekt. Punën do ta bëjmë bashkërisht”, ka thënë ai.
Procesi zgjedhor i FFK-së ka qenë i bujshëm dhe me plot zhvillime. FFK-ja nuk ka lejuar kandidimin e Gramoz Vokrrit për kryetar, me arsyetimin se ai nuk i ka plotësuar kushtet.
Disa prej kuvendarëve dhe ish-zyrtarëve të Federatës, Kuvendin e kanë quajtur të jashtëligjshëm. Madje kanë ftuar organet shtetërore të mos e lejojnë mbajtjen e tij.
Edhe një opinion i MKRS-së, përkatësisht i Departamentit Ligjor, ka vlerësuar se FFK-ja ka shkelur Statutin dhe Ligjin për sport me thirrjen e Kuvendit Zgjedhor për 6 prill.