Agim Ademi duhet të paraqitet nesër në Polici për intervistim


Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, duhet të paraqitet të mërkurën në polici për intervistim, njofton Zyra për media e Policisë së Kosovës.

Policia ka konfirmuar se ka intervistuar një zyrtar të FFK-së, por nuk ka saktësuar nëse bëhet fjalë për Agim Ademin. Po ashtu, Policia ka mohuar se Ademi është arrestuar dhe se ka urdhërarrest ndaj tij. Por, megjithatë, kryetari i FFK-së duhet të paraqitet nesër në Polici për intervistim.

“Policia e Kosovës sot në orët e pasdites ka intervistuar në stacion policor një zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar. Ndërsa raportimi në media për kinse arrestimin e kreut të FFK-së nuk qëndron dhe se nuk ka ndonjë urdhër arrest siç raportohet, por të njëjtit i është lënë një ftesë për t’u paraqitur në polici për intervistim gjatë ditës së nesërme. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë ditës ka pasur raportime se Agim Ademi është arrestuar pasi ndaj tij u lëshua fletarrestim nga Policia. Versioni zyrtar i Policisë megjithatë është ndryshe.

Agim Ademi ditë më parë u lirua nga akuzat për një rast të ndodhur shumë vjet më parë e që nuk ishte i lidhur me futbollin.