Avokatura Shtetërore e Kosovës ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ushtruar padi, më 2 gusht të këtij viti pranë Gjykatës Komerciale në Prishtinë, ndaj dy operatorëve ekonomikë, kompanisë së grurit nga Turqia “Yafe Turizm Insaat” dhe kompanisë së vajit nga Polonia “Xanto SP.Z.O.O”.
Padia ndaj dy kompanive është ushtruar pasi një pjesë e grurit, vajit dhe sheqerit që ishin blerë për rezerva shtetërore gjatë vitit 2022 ende nuk kanë ardhur në Kosovë. Dëmi ndaj buxhetit të shtetit, sipas Prokurorisë Speciale, është mbi 600 mijë euro.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Avokatura Shtetërore ka iniciuar konteste gjyqësore – padinë në Gjykatën Komerciale në Prishtinë ndaj dy operatorëve ekonomikë, Yafe Turizm Insaat dhe Xanto SP.Z.O.O”, thuhet në përgjigjen e Avokaturës Shtetërore për “Betimi për Drejtësi”.
“Paditë janë dorëzuar më datë 02.08.2023”, thuhet më tej në përgjigjen e Avokaturës Shtetërore.
Për hetimet që po zhvilloheshin për aferën e rezervave shtetërore, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 15 korrik, në emisionin e 327-të ku trajtohet “Lufta e qeverive kundër Task-forcës antikorrupsion”. 12 ditë pasi është raportuar për hetime lidhur me rezervat shtetërore, gazeta Nacionale më 26, kishte publikuar përgjime që implikonin zyrtarët e shtetit dhe një biznesmen në këtë aferë.
Deri tash janë tre të arrestuar për aferën e rezervave shtetërore, dy prej tyre zyrtarë të shtetit – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Ndërkohë, në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka publikuar së pari “Betimi për Drejtësi”, thuhet se pavarësisht pagesave paraprake ende në Kosovë nuk kanë ardhur një pjesë e mallit të blerë për rezerva shtetëror. Mungojnë 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 250 mijë kilogramë sheqer.
“Betimi për Drejtësi” gjithashtu ka raportuar ekskluzivisht lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për aferën e rezervave shtetërore.
Vendimin për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, është marrë më 19 gusht 2023, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kurse, ndaj këtij vendimi, mbrojtja e të dyshuarve kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Gjithashtu “Betimi për Drejtësi” ka raportuar lidhur me ankesën e mbrojtës së Lipovicës me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj tij Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale nisi më 18 gusht 2023, në orën 6 të mëngjesit aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi. Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Mirëpo, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shpjeguar se në rastet kur bazuar në kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale gjykata lëshon urdhër për kontroll të shtëpisë apo personit, nuk është fare relevant fakti nëse provat e sekuestruara përmes të cilave synohet provimi i veprës penale janë ose jo të klasifikuara.
Po ashtu, Kryeministri Albin Kurti kishte publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet ish-kastën e kalbur politike. Ka thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore.
Gjuhë të njëjtë ka përdorur edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se sistemi i drejtësisë po synon ta rrëzojë Qeverinë Kurti me spektakle. E akuza për Prokurorinë Speciale hodhën edhe ministra e deputetë tjerë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. /BetimipërDrejtësi/