Adnan Januzaj do të luajë sërish në La Liga të Spanjës. Sulmuesi i krahut, të mërkurën është prezantuar te skuadra e Sevillas pasi i ka kaluar me sukses kontrollimet mjekësore. Ai me Sevillan ka firmosur kontratë katërvjeçare.
27-vjeçari te Sevilla është transferuar si lojtar i lirë, pasi muaj më parë i skadoi kontrata me Real Sociedadin. Januzaj në pesë sezonet e fundit ka luajtur në kampionatin e Spanjës dhe në 132 paraqitje për Sociedadin ka realizuar 15 gola, e ka bërë po aq asistime.
Ai karrierë ka bërë edhe te Manchester Unitedi, Sunderlandi e Borussia Dortmundi. Gjithashtu, ka edhe 15 ndeshje e një gol të shënuar me Përfaqësuesen e Belgjikës.