Kyetari i FFK-së, Agim Ademi ka reaguar pas ndeshjes së mbrëmshme Rumani-Kosovë, ku vendasit fituan duke provokuar lojtarët e Kosovës.
I pari i FFK-së përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se do të kërkojnë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS.
“Provokimi i rëndë nga tifozeria rumune shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes për një periudhë të gjatë. Ndeshja rifilloi me insistimin e gjyqtarit pas tërheqjes së pankartave diskriminuese e raciste ndaj vendit tonë, ndonëse thirrjet e kohëpaskohshme kundër futbollistëve dhe shtetit tonë vazhduan.
I gjithë ky episod ndikoi pashmangshëm tek ekipi ynë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte në fund të pjesës së parë gjyqtari e përjashtoi nga loja sulmuesin tonë, duke bërë që tek kundërshtari të kalojë edhe epërsia numerike”, ka shkruar ai.
“Ne mbetemi të vendosur për të përmirësuar lojën tonë dhe për të arritur suksese në nivel ndërkombëtar. Këto sfida na forcojnë dhe nuk do të na pengojnë të ecim përpara. Ne, do të kërkojmë drejtësi dhe respektim të rregullave të “fair-play-it” në futboll përpara organeve të UEFA-s dhe në CAS”, ka shkruar ai ndër të tjera.