Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka konfirmuar se do të ketë ndryshime në të gjitha grupmoshat e përfaqësueses së Kosovës. Postin e përzgjedhësit nuk e ka të sigurt as Bernard Challandes.
Kryetari Ademi në një intervistë dhënë të enjten për KOHËN ka thënë se do të analizohen puna dhe rezultatet e arritura deri tash në të gjitha grupmoshat para se të marrin vendime përfundimtare. Ka shtuar se vazhdimi i kontratës do të varet nga rezultatet.
Në fakt rezultatet kanë munguar në të gjitha grupmoshat e po ashtu edhe nga përfaqësuesja A e udhëhequr nga Challandes. Kosova humbi mundësinë për t’u kualifikuar në kampionatin evropian nëpërmjet plejofit të edicionit të parë të Ligës së Kombeve, derisa në edicionin e dytë vetëm të mërkurën siguroi qëndrimin në Ligën C. Serisë negative prej dhjetë ndeshjeve pa fitore i dha fund ndaj Moldavisë, të cilën e mposhti në Prishtinë me rezultatin minimal, 1:0.
Challandes në postin e selektorit të Kosovës u emërua në vitin 2018. Atëbotë federata drejtohej nga Fadil Vokrri.
Kritikat në drejtim të Challandesit nuk u ndalën, në veçanti pas disfatës së pësuar ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup. Me humbje edhe u shua ëndrra për kualifikimin në “Euro 2020”, që mbahet verën e vitit të ardhshëm. Maqedonia e Veriut e siguroi kualifikimin, derisa Kosova mezi ruajti vendin në Ligën C. Para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut trajnerit zviceran iu vazhdua kontrata edhe për dy vjet. Por, Ademi ka shtuar se kontrata edhe mund të prishet.
“Assesi nuk jam pishman që e kemi nënshkruar kontratën e re. Është dashur në atë kohë, sepse pa kontratë nuk do të hynim në këtë fazë. Kemi bërë mirë që kemi nënshkruar kontratë, por nuk do të thotë që kontrata të mban në jetë për gjithçka. Trajnerët i mbajnë në ekipe rezultatet. Tash është gara në botëror dhe të shohim shortin në dhjetor dhe në cilin grup do të jemi, të shohim ndeshjet fillestare. Edhe ai është i ndërgjegjshëm dhe e di që kur nuk ka rezultate ose nuk ka më çka të japë, largohet, ashtu siç ndodh edhe në shumë shtete apo klube. Kompromis ne mund të bëjmë nëse ka nevojë, edhe pse unë nuk mendoj absolutisht për ta shkarkuar apo ndonjë gjë tjetër”, ka thënë Ademi.
Por Ademi ka thënë se për të bërë një analizë të rezultateve të deritashme do të takohet me Challandesin, siç ka thënë ai, në një kohë të përshtatshme.
“Do të bëjmë gjithë analizën e kësaj gare, ai tri ndeshje nuk ka qenë për shkak të COVID-it. Sikur të ishin edhe këto tri ndeshjet e fundit do të kishim pasqyrë më reale. Do të takohemi në një kohë më të mirë dhe do të ketë analizë të thukët se cila është arsyeja e kësaj situate dhe secili do të mbajë përgjegjësitë e veta. Qëndrimi është i sigurt, por jo garanci. Tash për tash nuk kemi ndonjë mendim të lëvizim nga pozicioni”, është shprehur Ademi.
Ademi hedh poshtë zërat se situata në ekipin përfaqësues është e keqe dhe se ka përçarje brenda grupit. Thotë se secili lufton për njëri-tjetrin në fushë. Por, mungesat e shumta nga ndeshja në ndeshje shkaku i COVID-it dhe lëndimeve kanë qenë të theksuara dhe kanë ndikuar në rezultate, thotë ai.
“Kam dëgjuar se ka pasur edhe kacafytje, gjë që nuk ka ndodhur, përveç gjestit të Bernard Berishës që dihet publikisht. Por, e mbaj përgjegjësinë e plotë për këtë që po them. Hidhërime ka pasur, ndodh ajo edhe në ndeshje të tjera se ‘pse nuk e gjuajte topin’. Ka qenë gjithçka njëjtë, si nga Federata ashtu edhe puna në përfaqësuese”, ka theksuar Ademi.
I pari i shtëpisë së futbollit kosovar ka shtuar se janë të dëshpëruar me rezultatet. Ai thotë se pritjet kanë qenë më të mëdha. Por ka shtuar se kritikat duhet të jenë me vend e jo për inate personale.
“Ka vend për kritikë, është dëshpëruese kjo seri, kemi kërkuar edhe më shumë, por duke parë rrethanat duhet analizuar mirë, si ka ardhur dhe pse ka ardhur kjo situatë. Duhet kuptuar edhe forma nganjëherë dhe është goxha vështirë të kthehet, por fatbardhësisht ne e kthyem ndaj Greqisë, ndaj Sllovenisë kemi merituar të paktën një barazim dhe kjo ndeshja e rëndë ndaj Moldavisë, sepse presioni në këtë ndeshje ka qenë më i madhi. Kur kemi pasur ndeshje vendimtare ndaj Azerbajxhanit kemi qenë në seri të fitoreve, kurse tash kishim presionin e rënies nga Liga. Më mirë të them se ky ekip është mësuar të luajë edhe me shikues, dhe ndoshta i kanë munguar shumë. Kjo është e përgjithshme, sepse edhe të tjerat e kanë pasur, por unë kam besim te këta djem dhe në këtë pjesën organizative. Kërkoj që në mënyrë të drejtë t’i përkrahim dhe drejt edhe t’i kritikojmë”, është shprehur Ademi.
Në fakt, së fundi ka pasur zëra se përzgjedhësi i U-21 të Kosovës, Rafet Prekazi, nuk do t’i vazhdohet kontrata. Nga Ademi nuk është pohuar e as mohuar largimi i tij. Por, ka shtuar se për punën në të gjitha grupmoshat do të ketë analizë veç e veç.
“Nuk kemi biseduar me asnjë trajner aktual. Kontratat u skadojnë në dhjetor, por vazhdojnë të jenë deri në vendim tjetër. Do të matet secili me rezultate dhe mund të them se mund të ketë ndryshime. Të gjitha kontratat do t’i shqyrtojmë në fund si nga A-ja dhe të tjerët. Ata që mendojmë se kanë pasur rezultat do të vazhdojnë, derisa do të ketë edhe ndërrime. Nuk është punë e përhershme posti i selektorit apo trajnerit. Atë post e ruan trajneri që ka rezultate dhe sigurisht do të mundohemi ta bëjmë zgjidhjen më të mirë të mundshme”, ka thënë Ademi.