Abrashi për vjedhjen e 2 milionë eurove: Ministria e Infrastrukturës nuk ka qenë e informuar 10 ditë më herët

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni për transaksionin prej mbi 2 milionë eurove që ka ndodhur nga Thesari i Shtetit. Ai në një konferencë për medie, ka treguar se MI-ja nuk ka qenë e informuar 10 ditë më herët për këtë vjedhje.

“Sot kam qenë dëshmitarë që ka qarkulluar një njoftim, në mediet kryesore të vendit, që ka ta bëjë më njohuritë me ekzistencën e transaksionit të paligjshëm nga zyrtarë të ministrisë për gati 10 ditë. Arsyeja që nuk jemi deklaruar ditëve të fundit është shkaku që mos të ndërhyjmë në hetime. Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, për një transaksion të paligjshëm më 19 tetor, si dyshim dhe atë dyshim e ka ngritur në Thesar dhe kur është vërtetuar, atëherë e ka njoftuar edhe policinë dhe organet tjera”, tha Abrashi

Vjedhja sipas tij, ka dëmtuar disa projekte të Ministrisë së Infrastrukturës.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që janë të përfshirë në hetime. Ministria e Infrastrukturës është palë e dëmtuar. Janë dëmtuar taksat e qytetarëve, janë dëmtuar një numër i projekteve dhe do të bëjmë çmosh që t’iu ndihmojmë organeve të tjera që këto mjete të kthehen në ministri”, theksoi  Arban Abrashi.