Abdixhiku: Rezultati i LDK-së është më i rëndi në historinë e saj

Kandidati për deputet i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rezultati i partisë së tij në zgjedhjet e 14 shkurtit është më i rëndi në historinë e LDK-së.

Megjithatë, ai u shpreh optimist që e ardhmja e LDK-së do të jetë në rrugë të drejtë, njofton Klan Kosova.

“Tani që rezultatet nga terreni më vijnë, s’kam se si të mos falënderojë sërish, për të tretën herë radhazi e me të njëjtën madhësi, votuesit e mi. Numrin e bëjmë ne. Por kjo ka pak rëndësi. Fare madje. Rezultati për ekip, për LDK-në, pa befasi ishte i rëndë – më i rëndi në histori. Mesazhi ishte i qartë e i zëshëm, ai thërret për reflektim. Kush s’e dëgjon harrohet; dhe këtë s’mund ta kemi më alternativë”.

“Rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë LDK ka për ta gjetë. Ajo do të jetë rrugë e drejtë, siç na takon për atë që përfaqësojmë. Pa improvizime më; me plot konsistencë. Ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë. Të njëqind mijë votuesve tanë ju faleminderit. Fituesve të zgjedhjeve urime. Kosovës gëzuar ditëlindjen”.