Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur startin më të dobët që ka pasur vendi ndonjëherë nga ndonjë qeverisje. Sipas tij, Vetëvendosje po qeverisë me arrogancë e po merret me të kaluarën.
Në një debat publik në Lëvizjen FOL, Abdixhiku e ka quajtur të dobët punën e Qeverisë Kurti, teksa ka shtuar se programi qeverisës “është joserioz”.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk do të imitojë opozitarizimin e VV-së.
“Kjo qeveri ka pasur startin më të dobët që ka pasur vendi ndonjëherë, në kuptim të mungesës së sjelljes, ka arrogancë por edhe marrjes me të kaluarën. Kemi një qeveri të dobët, kemi parë punën e disave që kanë qenë drejtorë në komunën e Prishtinës, nuk kanë pas rezultate. Program joserioz që nuk prodhon asgjë, përjashtim nuk përbën as politika e jashtme, duket qeveri e praktikantëve. Duhet rikuperim ekonomik pas pandemisë, në program nuk ka asnjë spital që do të ndërtohet katër vitet e ardhshme. Qeveri qe merret vetëm me të kaluarën”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se Qeveria s’ka pozicion për dialogun. Ka shtuar se kryeministrit Albin Kurti ia ka dorëzuar një dokument për parimet mbi të cilat duhet të sillet Kosova. Sipas Abdixhikut, Qeveria Kurti nuk po e di çfarë po bën në dialog.
“Baza negociuese të mos jete diskutimi për Kosovën. Kosova të respektojë statusin juridik të Gjykatës Ndërkombëtar të Drejtësisë. Karakteri unitar te mos rëndohet. Dokumentin nuk e kemi dorëzuar që te bëhemi pjesë e dialogut. LDK-ja nuk merr pjesë në dialog, kemi dorëzuar një dokument se nuk po dinë çfarë të bëjnë. Nuk janë temë akuzat e paraardhësve. Duhen negociata të thella dhe të vështira. Qeveria duhet të raportojë para dhe pas kthimit nga negociatat. Nuk po themi jo negociata, vetëvendosje – por shkoni mbrojeni Kosovën. Qeveri totalisht e papërgatitur në dialog, pretekst për t’iu shmangur dialogut. Nëse ky është qëllimi duhet ta thotë”, ka vazhduar Abdixhiku.