Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka prezantuar në Vushtrri planin e kësaj partie për arsimin.
Abdixhiku ka thënë se planifikojnë që mësimi tërëditor të zhvillohet në së paku pesë komuna të Kosovës.
Abdixhiku ka përmendur rritjen e pagave për mësimdhënësit e reduktimin e numrit të nxënësve nëpër klasët e shkollave fillore.
“Programi ynë për arsim! Ndryshim thelbësor për gjenerata. Nga mësimi gjithëditor deri tek digjitalizimi i shkollave. E ardhmja ndërtohet sot. Ndiqeni planin tonë ambicioz”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai përmendi rritjen e koeficientit të pagave “qysh në javën e parë”.
“Një mësues që e merr pagën sot 671 euro, në javën e parë të qeverisjes sonë do ta ketë pagën 840 euro”, tha Abdixhiku.
“Programi ynë parasheh reduktimin e numrit të nxënësve nëpër klasat e shkollave fillore në jo më shumë se 20 sosh”, tha ai.
Ai po ashtu ka premtuar ndërtimin e çerdheve.