Abdixhiku për Hazirin e Qunin: I kam kolegë, kishim takime para shpalljes së kandidaturës

Kandidati për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se i respekton shumë kundërkandidatët e tij për të parin e këtij subjekti, duke iu referuar Lutfi Haziri dhe Anton Qunit.

Me të dy, Abdixhiku tha në Rubikon me Adriatik Kelmendin se patën takime para shpalljes së kandidaturave.

”I kam kolegë i respektoj të gjithë. Me Hazirin dhe Qunin kam pasur takime para se të shpallnin kandidaturën dhe jemi marrë vesh që të ruajmë njëri-tjetrin nga kjo fushatë”.

”Jemi pjesë e një familjeje politike. Jemi kolegë, bashkëpunëtorë. Unë do dua që këtë platformë të jetë fituese, dhe më pas të bashkëpunojmë me njerëzit e shtëpisë time politike. Jemi të bindur që t’i bashkojmë gjithë në këtë drejtim”.

”Nuk ka përjashtime në këtë dhe s’do të jem dëmtues i këtyre proceseve. Roli im nuk është rol shpëtimtar, është rol menaxhues, është pjesë e një ekipi të shëndetshëm, të dijshëm të madh. Këta kolegë i respektoj shumë”.