Abdixhiku nuk shkon nesër në takimin e ftuar nga Kurti e Osmani, propozon që i njëjti të mbahet të premten

Kryetari i sapo zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas përfundimit të procesit zgjedhor ka njoftuar se nuk do të mund të shkojë nesër në takimin e ftuar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe u.d e presidentes, Vjosa Osmani, për të diskutuar për konstituimin e institucioneve të vendit.

Abdixhiku ka thënë se ka të pamundur pjesëmarrjen nesër në takim, ndërkaq ka propozuar që ky takim të zhvillohet të premten.

“Gjëja e parë që do të bëjë nesër është dalë në zyrat e LDK-së, por e kam të pamundur që për shkak të konsolidimit të organeve tona të partisë që të marr pjesë në takimin e nesërm. Propozoj të premten si datë të takimit eventual në formatin e njëjtë siç është propozuar”, tha Abdixhiku.

Ai falënderoj konstruktivitetin e Osmanit dhe Kurtit në lidhje me ftesën, duke u shprehur se “besoj që kjo është qasja e duhur se si duhet të sillemi”.

Abdixhiku shtoi se qasja e tyre do të jetë konstruktive me të gjitha partitë politike shqiptare. Ai falënderoj delegatët për besimin e dhënë që të udhëheq LDK-në.