Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk duan të bashkëpunojnë me VV-në dhe se qëndrimet paraelektorale të partisë së tij nuk kanë ndryshuar, raporton EO.
Ai këtë deklaratë e bëri pas mbledhjes së kryesisë, e cila zgjati mbi 5 orë.
I pari i LDK-së po ashtu tha se nuk kanë pasur takim me asnjë parti pas zgjedhjeve.
“Është rezultat me rritje me LDK-në që siguron 20 mandate. Është një rritje e madhe dhe e mirë. Do të sillemi siç jemi sjellë deri tani, në interes të Kosovës. Pozicionet tona të tanishme të LDK-së janë se nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë parti politike në Kosovë, as me partinë në pushtet. Me partinë në pushtet, nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për një bashkëpunim me ta. LDK nuk di të jetë pjesë pa pozitën e kryeministrit, LDK nuk punon me një qeveri afatshkurtër. Qëndrimet tona paraelektorale do të jenë edhe qëndrime paselektorale.”
“Ne nuk jemi në pozicion që të japim oferta, sepse jemi të pozicionuar në opozitë. I takon partisë që të nisë afatet kushtetuese dhe të formojë qeverinë. Unë dhe askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk kemi pasur kontakte zyrtare me partitë politike. Ne nuk besojmë në një qeveri që ka afat të shkurtër, nuk kemi interesa personale, kemi interesa për LDK-në”, ka thënë ai