Abdixhiku: Nga vetvetja duhet ta nisim rikthimin tonë të madh

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka zgjedhur kryetarin e saj të ri.

Lumir Abdixhiku i cili ishte një ndër tre kandidatët për ta drejtuar partinë, e ka fituar këtë garë pa balotazh.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar i këtij subjekti politik, ai ka thënë se nga vetvetja duhet nisur rikthimi i madh.

“Ju faleminderit nga zemra për besimin”, tha Abdixhiku në fillim të fjalimit.

“Sot po e hapim një faqe të re në rrugëtimin tonë politik me synime të qarta për ta rikthyer LDK-në në vendin e saj origjinal”, tha Abdixhiku.


Ai tha se LDK-ja ka qenë gjithnjë promotore dhe kujdestare e vlerave, ndërsa tha se arsyen për humbjen e votuesve duhet ta gjejnë në vetvete.

“LDK u tregua kujdestare e vlerave, promotore e secilit hap euro-atlantik. LDK nuk arriti të mbajë e as të rrisë votuesit e saj. Arsyen e vërtetë e gjejmë te vetvetja dhe nga vetvetja duhet ta nisim rrugëtimin tonë të madh”, tha ai.

Ai tha se “LDK-së duhet t’i japim një lidership që përballon sfidat e kohës”.