Abdixhiku: LDK ka dyfishuar përkrahjen, do të rritemi edhe më shumë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se partia të cilën ai e drejton e ka dyfishuar mbështetjen e megjithatë shtoi se nuk duhet të vetëkënaqen me këtë.

Abdixhiku, këtë deklaratë e bëri në Konventën Programore të LDK-së në Gjilan.

Kryetari i LDK-së tha se nga Gjilani po e nisin ciklin e takimeve me njerëzit  gjithandej Kosovës, ndërsa shtoi se qytetarët tashmë po njohin qartë energjinë e re dhe ndryshimin e shumëkërkuar në LDK.

Kryetari Abdixhiku, theksoi se shumë njerëz të rinj, profesionistë të rinj, burra e gra më të mirë të vendit po i bashkohen lidhjes politike, ndërkaq, nënvizoi se përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtë, duhet të përmirësohen e rriten edhe më tutje.

Sa i përket sfidave që po përballen qytetarët, kryetari Abdixhiku theksoi se janë në krizë dhe kapërcimet politike i bëjnë nga kriza në krizë.

Ndër të tjera, ai tha se Kosova nuk ka Qeveri, ngase në vend të gjetjes së zgjidhjeve për çdo problem, nga greva tek energjia, inflacioni, ikja e shëndetësia, dëgjojnë narracione të 14 shkurtit, fajësimeve për 20 vjet, e konspiracione të ndryshme.

Abdixhiku specifikoi se LDK ka një plan dhe ekip që po ndërtojnë programin në bashkëbisedim me qytetarët, ku do t’i japim përgjigje dhe vizione të qarta e të guximshme problemeve të vendit tonë.

Ai, në fund të fjalës së tij, bëri thirrje që të gjithë rugovistët, të gjithë besimtarët e djathtë dhe patriotët e Republikës së Kosovës të bashkëngjiten në rrugëtimin e madh, ku theksoi se Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, kanë  nevojë për njerëzit më të mirë të vendit.Reklama

Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se LDK është gardian i demokracisë dhe i zhvillimit të shtetit.

Ai tha se edhe përkundër faktit që në Gjilan janë në opozitë, në mënyrë të vazhdueshme po ofrojnë këshilla dhe sugjerime, mirëpo ato nuk po dëgjohen nga pushteti i sotëm në Gjilan, për të cilin tha se ky pushtet e ka fituar një zyre por e ka humbur qytetarin.

Ndër të tjera, ai tha se LDK do ta bëj rikthimin e madh, në krye me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.