Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se të gjitha dokumentet e dialogut i janë dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në ditën kur ka pranuar detyrën zyrtare.
Abdixhiku ka thënë se Kurti ka pranuar nga paraardhësi i tij, 29 faqe raport.
“Kryeministër, të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi. Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorë-shtrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim”, është shprehur Abdixhiku.
Abdixhiku ka shkruar tutje se në qoftë se Kurti i ka humbur këto dokumente, atëhërë ka mundur t’I kërkoj sërish.
“Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish. Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë. Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë”, ka potencuar ai.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut, dhe se të gjitha dokumentet i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës.