Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se paaftësia dhe paranoja e Qeverisë, po i kushton shumë qytetarëve.
Përmes një video, Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë për mos-sigurimin e teksteve shkollore për qindra mija nxënës të Kosovës.
“Ironikisht, nën paranojën e përfitimeve të biznesit, pushteti popullist kishte dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht. Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vetë Qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim. Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë”, tha Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, prindërit do të duhej të kishin brenga tjera, por Qeveria ka vendosur të ngarkojë secilin prind me detyra të vet shtetit – blerjen e librave.
“Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”, tha Abdixhiku.
Përveç malltretimit të qytetarëve, paaftësia e Qeverisë sipas Abdixhikut, Kosovës po i kushton edhe më së shumti në aspektin e humbjes së kohës.
“Në vitin 2023, do të duhej të flisnim për digjitalizim të shkollave, për klasë me 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi. Do të duhej të flisnim për fëmijët tanë si forcë moderne që bën të ardhmen tonë. Rruga e Re ka këtë qëllim. Aty duam ta mbajmë fokusin publik”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, me malltretime të tilla qytetarët do të përballen edhe në të ardhmenm pas siç tha Abdixhiku, mendëisa e kësaj qeverie është mospuna, ankesa e paranoja që se lë shtetin dhe shoqërinë të zhvillohet.
Prandaj, sipas Abdixhikut, “e djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja”.