Abdixhiku i përgjigjet Haradinajt pasi tha se “LDK po e bllokon formimin e qeverisë opozitare”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e akuzoi LDK-në për bllokimin e formimit të një qeverie opozitare.

Abdixhiku deklaroi se sulmet e tilla janë të kotë dhe se pozita e LDK-së është e qartë dhe e pandryshueshme.

“Po lodhen kot me sulmet ndaj LDK-së. Ja ku e keni të parin. E ka rendin ai. Kur vjen rendi tek ne, nëse vjen ndonjëherë, qëndrimet i keni të qarta; dhe ato nuk ndryshojnë!” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka shtuar se presioni i përhershëm ndaj LDK-së do të forcojë më shumë partinë dhe nuk do të ndikojë në ndryshimin e qëndrimeve të saj.

I pari i LDK-së ka folur gjithashtu për turneun e tij të falënderimit, ku ka takuar mbështetës të LDK-së në Gjakovë. “U fola, i dëgjova, i sigurova për rrugëtimin tonë!”, tha ai.