Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur shqetësuese heshtjen e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet e fundit politike.
“Unë e kam brengën e pozicionit të presidentes së vendit, njeriut më të larte me pozicion shtetar në republikë karshi fondamenteve të vet republikës, madje edhe në çështje që e prekin fushëveprimin e saj, siç është politika e jashtme dhe siguria – në këtë rast Ushtria e Kosovës”, u shpreh ai në Rubikon.
Ai shtoi se në dy paraqitjet e tij të fundit ka pasur një kërkesë të njëjtë, që presidentja të ketë rol të qartë mbi relacionet në të cilat Kosova gjendet sot, dhe se këtë pozicion të qartë ai vlerëson se nuk e ka gjetur ende.
“Për anulimin e ushtrimeve më të mëdha ushtarake për Kosovën, nuk patëm asnjë reagim nga Presidentja, e cila duhet të kërkonte llogari nga kryeministri sepse e ka prekur ushtrinë ku ajo është komandante supreme. Ajo nuk e ka ende të shprehur qartazi pozicionin për veprimet e Qeverisë së Kosovës. Unë këtë zë e kërkoj ende, e inkurajoj presidenten që të ketë qëndrim të qartë”, përfundoi ai.