“Derisa të majtit bëhen bashkë, e kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë të jetë e veçantë!”, ka thënë Lumir Abdixhiku.
Këto komente, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka bërë nga Ferizaj, ku ka shënuar 34-vjetorin e themelimit të degës së LDK-së në këtë qytet, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, pasi që krerët e këtyre dy subjekteve politike së fundmi u takuan së bashku.
“Pasi kanë mbytur ekonominë, pasi kanë shpenzuar tre vite e gjysmë në ankesa mbi të shkuarën, pa dhënë një projekt të vetëm kapital, pasi kanë izoluar Kosovën, kanë pranuar autonominë si pokrahinë, pasi kanë dështuar në anëtarësime e në njohje, pasi humbën betejën në Këshill të Evropës, si rast historik e si hap kapital, pasi ndanë e përçanë, ofenduan e propaganduan në nivelet më të ulëta njerëzore e politike, populistët kërkojnë tani takim!”, tha Abdixhiku, pasi që refuzoi takimin me kryeministrin Albin Kurti.
“Takim për zgjedhje por jo dorëheqje! Takim për ndarje të fajësisë mes partive, për marrje të përgjegjësisë!”, potencoi ai, duke shtuar se “instrumentalizmi i opozitës është qëllimi tyre!”
Në këtë instrumentalizim, sipas kreut të LDK-së, “ata [VV] kanë gjetur dhe aleat! Por nuk do të gjejnë Lidhjen Demokratike!”.
“Ne kemi tjetër rrugëtim! Kemi Rrugën e Re! Tavolinave të darkave diskrete u japim përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik sikurse ky sonte!”.
“Derisa të majtit bëhen bashkë, e kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë të jetë e veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për për bashkim e për ringritje si një”, shtoi.
Abdixhiku shprehet i bindur se partia që ai udhëheqë “do të ringritemi si një!”.
“Krenarë, të djathtë, fitimtarë! Prandaj, ju them dy-tri fjalë; Ju caktojeni datën! Ne caktojmë festën!”.