Abdixhiku flet për “sulm të qëllimshëm të sinkronizuar ndaj LDK-së”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se “sulmet e sinkronizuara ndaj LDK-së, të nisura nga përfundimi i zgjedhjeve, nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. 

“Kanë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.  “Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”.

Ai i është përgjigjur reagimeve, përfshirë edhe të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me votat me postë të LDK-së. 

Haxhiu tha se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e Gjykata Supreme refuzuan t’i kryenin detyrat e tyre, derisa foli për votat me postë që Lëvizja Vetëvendosje pretendon se janë manipuluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Haxhiu ka shkruar në Facebook se PZAP-ja dhe Supreme “i mbyllën sytë përball këtij krimi”, derisa ka kërkuar nga Prokuroria që t’i zgjerojë hetimet ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së.\

E  Abdixhiku ka thënë se është diskutuar në Kryesi për tema të brendshme dhe se LDK-ja i beson institucioneve të vendit. 

“Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet. Tri fitore në tri nivele – sepse vota jonë është e shenjtë dhe e drejtë! Prandaj dhe fitorja ligjore. Nga opozita, nga vendi i tretë, nga pozicioni i sulmuar nga të gjithë përnjëherë! E drejta megjithatë triumfon! Dhe sado të padrejta që i shihni këto sulme, u them të duroni. Të duroni sepse ato marrin përgjigje me kohë. Rritja jonë ka prishur shumë llogari. Ajo projekton të ardhme të mirë; dhe natyrisht frikë tek ata që se durojnë këtë projektim. Rrini të qetë!” – ka shkruar Abdixhiku.