Abdixhiku: 40 ditë për rregullimin e rrugës së Veternikut

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka premtuar se rruga e Veternikut do të rregullohet brenda 40 ditëve.

Ai përmes Facebook-ut ka njoftuar se punimet në këtë rrugë të frekuentuar të kryeqytetit kanë filluar sot pas 2 vjetër mospune.

“Kjo përpjetezë e Veternikut ka 2 vite që s’sheh punëtorë. Përveç rrezikut e shëmtisë së rrugës më të frekuentuar në vend, në Kryeqytet, ajo simbolizon neglizhencën. 40 ditë është koha që do ta përfundojmë. Muri do të ndërtohet, shpati do të përforcohet, rruga do të shtrohet – deri në sinjalistikë. Do të punohet ditën, do të punohet natën, e diku rreth 1 korrikut do ta kemi rrugën e hapur.40 ditë. Dita e parë nisi sot”, ka shkruar Abdixhiku.