Abazoviq pritet të propozojë tre ministra nga partitë shqiptare

Mandatari për kryeministër të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë javës së ardhshme duhet të prezantojë konceptin dhe programin e punës së qeverisë së cilës synon t’i prijë. Sipas mediumit malazias “Vijesti”, në Qeverinë e tij Abazoviq pritet të propozojë tre ministra që vijnë nga partitë parlamentare shqiptare.

Sipas raportimit, Qeveria e re e Malit të Zi do të propozohet të ketë 18 ministri.

Partitë parlamentare shqiptare pritet të marrin tri dikastere – Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, atë të Shkencës dhe Shoqërisë Digjitale dhe atë të Administratës Publike.

Siç shkruan “Vijesti”, Marash Dukaj mund të jetë emri që nga Alternativa Shqiptare do të zë njërin vend ministror.


Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, s’pritet të jetë në Qeverinë e re.

Në koalicion me URA-n e Abazoviqit pritet të jenë edhe Partia Boshnjake dhe Partia Popullore Socialiste. Mbështetje në Kuvend pritet të marrë edhe nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq dhe dy parti tjera socialdemokate.

Abazoviqi mori mandatin për formimin e Qeverisë më 3 mars. Ai pati marrë mandatin me premtimin se do të formojë një qeveri të pakicës, duke lënë jashtë ekzekutivit partitë e mëdha.

Qeveria e Malit të Zi ka disa javë që ka rënë. Mes partnerëve të koalicionit kishte përplasje që nga kur u krijua. Abazoviq në qeverinë e shkuar ishte zv.kryeministër. Lëvizja që udhëheq ai, URA, ka katër deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.

Për formim të Qeverisë duhen 41 deputetë nga 81 sa janë gjithsej.