Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi thotë se rrëzimi i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti ishte pjesë e një marrëveshje të fshehtë në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
Madje, sipas Abazit, edhe deputetët e LDK’së nuk janë të informuar për një skenar të tillë. Thotë se pjesë e marrëveshjes është që LDK ta bëjë sërish Thaçin president vitin e ardhshëm.
“Për çdo ditë po zbulohet skenari në mes të Thaçit dhe Mustafës për rrëzimin e qeverisë Kurti. Lidershipi i LDK’së ka kushtëzuar edhe atëherë deputetët që të votojnë Thaçin president”, kujtoi Abazi kohën kur Thaçi u zgjodh president.
“Në vazhdimësi është parë një trajektore e bashkëpunimit. LDK është nëndegë e PDK’së dhe interesit të Thaçit”, shtoi Abazi në emisionin ‘DPT te Fidani’ në T7.
Abazi thotë se Thaçi ka bërë trysni ndaj deputetëve të minoriteteve jo serbe që të mos votohet qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. Një gjë e tillë sipas tij ka ndodhur, një ditë para votimit të kësaj qeverie në parlament.
“Është bërë trysni edhe mbi grupet minoritare që ata të tërhiqen. 1 ditë para se të votohet Kurti kryeministër, Thaçi u ka kërkuar grupeve minoritare jo serbe që të mos e votojnë qeverinë Kurti”, tha Abazi.
Ai ka theksuar se pas ‘skenarit të përgatitur për rrëzimin e qeverisë zgjedhjet janë opsioni më i mirë’.