Zëvendëskryeministri Haki Abazi, ka thënë se është e pa nevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshëm. Sipas tij, Qeveria nuk pajtohet me propozimin e Presidentit.
Ai ka thënë se Qeveria ka bërë një planë ku ka angazhuar secilën ministri, e po ashtu ka koordinuar edhe komunat dhe shtabet e tyre.
“Ajo që është propozuar si gjendje e jashtëzakonshme konsiderohet dhe shihet si masë ekstreme dhe e panevojshme, që mund të interferojë me masat adekuate, të cilat i ka marrë Qeveria dhe institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Abazi.
“Si rrjedhojë, kryeministri nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën e ka propozuar presidenti sonte”, ka shtuar ai, raporton KOHA.
Konferenca e tij e ka pasuar atë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me ç’rast i pari ai ka bërë të ditur se ia ka propozuar Kuvendit dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, kishte thënë Thaçi.
Abazi ndërkaq, po ashtu ka dhënë detaje rreth asaj se si ka shkuar takimi i Këshillit të Sigurisë.
“Është raportuar për angazhimet e secilës ministri dhe gjithashtu veprimet që janë ndërmarrë nga niveli i Qeverisë e deri tek niveli komunal për adresimin e çështjeve të lidhura me koronavirusin”, ka treguar ai.
Abazi ka thënë se gjendja e lidhur me koronavirusin është duke u përcjellur vazhdimisht nga institucionet, duke shtuar se Kosova është vendi i parë në rajon që ka mbyllur shkolla dhe ka ndërmarrë veprime. Numri i të infektuarve me koronavirus në vend ka mbërritur në nëntëmbëdhjetë.
“Ministria e Jashtme dhe e Infrastrukturës janë në koordinim edhe për çështjen e qytetarëve tanë që kanë mbetur nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe shtetet tjera”, ka cekur Abazi.
Ai ka thënë se Qeveria ka bërë një planë ku ka angazhuar secilën ministri, e po ashtu ka koordinuar edhe komunat dhe shtabet e tyre.
“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të shkaktonte interferim që do ta vendoste mekanizmin e FSK-së”, tha ai.
Sipas tij, vlerësimet janë duke u bërë shpejtë pasi që ka koordinim të plotë mes mekanizmave.
Ndryshe, deri më tani me koronavirus në Kosovë janë infektuar 19 persona.