Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka deklaruar se është i bindur se kryeministri Albin Kurti dhe koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, kanë qenë në dijeni për bisedën e Mimoza Kusari-Lilës me Sllavko Simiq.
“Jam i bindur absolutisht, e tha edhe Kurti sot që tha se ‘ne nuk varemi nga Lista Srpska por Kusari e ka për detyrë të krijojë më shumë vota përfshirë edhe këto të Listës Srpska’. Që do të thotë në një formë ose tjetër qenkemi të varur”, ka deklaruar Abazi në RTV Dukagjini.
Po ashtu, Abazi ka deklaruar se hapja e “Kutisë së Pendores” për keqmenaxhimin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes është bërë para një viti e gjysmë, në momentin kur ai filloi të dalë në konferenca për shtyp dhe kërkonte dorëheqjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe largimin e saj.
Ai ka akuzuar se në dy vitet e fundit ka pasur keqmenaxhim të sistematizuar dhe manipulim të Grupit Parlamentar të LVV-së në mënyrë më të poshtër të mundshme.
Ai gjithashtu ka theksuar se kjo gjë evidentohet qartë nga audio-incizimet.
“Hapja e kutisë së pendores për keqmenaxhimin e Grupit Parlamentar të VV-së është bërë para njëviti e gjysmë kur kam filluar me dalë në konferencë për shtyp edhe kam kërkuar dorëheqjen e Mimoza Kusari – Lila dhe largimin e saj. Për brenda dy viteve në mënyrë sistematike është keqmenaxhu edhe është manipulu në mënyrë më të poshtër të mundshme Grupi Parlamentar të LVV-së, nga audio-incizimet shihet qartë kjo gjë”, ka deklaruar ai.