Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka hedhur akuza ndaj presidentit Hashim Thaçi, dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, për siç ka thënë ‘vjedhje të demokracisë e legjitimitetit’.
Përmes një shkrimi në Facebook, Abazi veprimet e Thaçit e Mustafës, i ka krahasuar me ato të ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.
Sipas Abazit, është jo kushtetuese ajo çfarë po duan Thaçi e Mustafa, madje, e barabartë me masat e dhunshme që i kishte vendosur dikur Millosheviqi.
“Duke keqpërdorur situatën me COVID-19, nuk vjedhjet DEMOKRACIA e as legjitimiteti. Kjo që po do Thaçi dhe Mustafa është jo-kushtetuese dhe e barabartë në vendimet për masa të dhunshme që dikur kishte vendosur Millosheviq duke larguar institucionet që kanë burimin në votën dhe vullnetin qytetarë. Në demokraci nuk ka vend për centrifugë”, tha Abazi në një shkrim në rrjetin social Facebook.
Abazi ka pyetur Thaçin e Mustafën, “Pse po kanë frikë nga zgjedhjet?”.