Zëvendëskryeministri nga radhët e LVV-së, Haki Abazi, ka folur për zhvillimet e fundit politike brenda koalicionit qeverisës me LDK-në.
Në Debat Plus në RTV Dukagjini, Abazi ka thënë se çështja e gjendjes së jashtëzakonshme ka qenë skenar mes LDK-së dhe presidentit Thaçi.
“Në momentin që Presidenti Thaçi kërkon dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe pas kësaj akterët brenda LDK-së, Isa Mustafa, Avdullah Hoti dhe në fund Agim Veli, kanë deklaruar të njëjtën, kjo është pjesë e një skenari”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, kjo nuk do duhej të ndodhte pasi që lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme, kryeministri Kurti bëri zyrtare vendimin që nuk është e nevojshme të veprohet njëherë.
Abazi e ka quajtur shkelje kushtetuese, deklarimet e ministrave që nuk janë në një vijë me vendimet e qeverisë.
Ndërkaq, e gjithë kjo erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi e ka përmendur të martën propozimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, me të cilin megjithatë nuk është pajtuar Qeveria, duke e quajtur masë ekstreme dhe të panevojshme.
Dy konferencat e shtypit, njëra prej presidentit Thaçi dhe tjetra prej Qeverisë kanë ardhur pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, teksa nëntëmbëdhjetë raste me koronavirus janë shënuar në vend për vetëm katër ditë.