Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi ka reaguar pas deklaratës së presidentit, Hashim Thaçi, i cili e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje, ndërmarrje kriminale.
Abazi ka pohuar se çdo parti do të duhej të distancohet nga deklarata që bëri Thaçi, e sidomos LDK.
“Fjalori i papërgjegjshëm, kërcënues dhe aspak presidencial e bën edhe me jokushtetues se ç’është. Nga fjalimet se nuk do t’i prisnim me çaj protestuesit deri tek veprimet e nëndheshme, duke interferuar me deputetët dhe vullnetin e tyre, sidomos të atyre që përfaqësojnë pakicat për të mos votuar qeverinë Kurti. Insistimi i Thaçit që me çdo kusht të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, do të duhej të ishte e qartë për LDK se cilat janë motivet e tij dhe të distancohej për hatrin e elektoratit që i ka besuar votën për ta çkapur shtetin pikërisht nga kryeshefi i PRONTO-s”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Abazi ka thënë se “është e tmerrshme të mendohet që LDK i mban ‘zhagun’ Thaçit, përderisa përjashton të vetët”.
“Është edhe më e tmerrshme kur përjeton heshtjen e atyre që kanë prindërit e vrarë në periudhën e pasluftës dhe vetëm për fushatë i përdorin, sikur të ishin vetëm poster reklame që përdhoset sapo të përfundojë fushata.
Kaq jonjerëzor e pa-kurrizor të bën etja për pushteti”, vijon shkrimi i tij.