Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tashmë ka konfirmuar zyrtarisht se do të përkrahë formimin e Qeverisë së re dhe se do të hyjë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, tregoi për Telegrafin se kush pritet të jenë ministrat e ardhshëm të kësaj partie.
“Në kryesinë e ngushtë, unanimisht janë përkrahur: Besnik Tahiri, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj. Por duhet që Këshilli drejtues t’i votojë”, tha Lekaj.
Ndërkaq, LDK-ja sot ka bërë të ditur se kandidat për kryeministër është Avdullah Hoti, nominimin e Hotit e kanë mirëpritur AAK.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që ka zhvilluar me Avdullah Hotin, ka pohuar se është kundër rritjes së numrit të ministrive.
“Është shumë e rëndësishme mos të rritet numri i ministrive. Nëse ka probleme me funksionim, por nuk ishte dashur të rritet numri i ministrive. Është situatë e papritur pak edhe prej nesh, mirëpo na në çështjen se e me e lënë vendin pa qeveri apo me qeveri marrim përgjegjësi. Nuk e shohim këtë qeveri si përmbushje të interesave personale por si detyrë që na takon. Krijimi i Qeverisë mund të ndodhë disa ditë, nuk mund të marrë më shumë se një javë kjo procedurë”, ka deklaruar Haradinaj.