Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot do të mbajë një takim për t’i finalizuar përgatitjet e fundit para nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në.
Siç merr vesh Telegrafi, në këtë mbledhje e cila do të udhëhiqet nga kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj, do të marrin pjesë nënkryetarët e AAK-së, sekretarët dhe grupi parlamentar.
Mbledhja pritet të mbahet në orën 13:00 në selinë qendrore të AAK-së.
Gjatë ditës mund të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit në mes të LDK-së, AAK-së, NISMËS, AKR-së, minoriteteve dhe Listës Serbe.
AAK ka propozuar emrat për ministra në Këshill Drejtues. Ramë Likaj, Blerim Kuçi, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj pritet që të propozohen ministra, ndërsa zëvendëskryeministër pritet të jetë Besnik Tahiri.
Ndryshe, kandidati i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministër të qeverisë së re, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se sot do t’i përmbyllin çështjet e koalicionit dhe do të dalin me përbërjen e qeverisë së re.